Vodka Atomik, vjen direkt nga Çernobili

Nëse do të prodhonit një vodka me përbërës nga zona e ndaluar e Çernobilit, emri nuk mund të ishte tjetër veç se “Atomik”. Pikërisht kështu e kanë quajtur shkencëtarët nga Universiteti i Portsmuthit, në bashkëpunim me kolegë ukrainas, pijen alkoolike me grurë dhe ujë nga zona ku 33 vite më parë shpërtheu një reaktor bërthamor, në atë që konsiderohet si katastrofa më e madhe bërthamore në botë.

Edhe pse nga shpërthimi vdiqën rreth 31 vetë, miliona të tjerë në të gjithë Europën u ekspozuan nga radioaktiviteti dhe sipas vlerësimeve, 200 000 vetë humbën jetën si pasojë. Për më shumë se dy dekada, autoritetet kanë caktuar një perimetër me rreze mbi 20 kilometra ku ndalohet kalimi rreth reaktorit në qytetin Pripyat në Ukrainë.

Kërkuesit këmbëngulin se vodka është e padëmshme dhe mund të pihet lirisht. Ata përdorën ujë nga një burim pranë zonës së Çernobilit, por thonë se nuk është i kontaminuar. Ndërsa sa i përket grurit, edhe pse ai kishte një nivel radioaktiviteti, ai u ul ndjeshëm për shkak të procesit të distilimit.

Jim Smith, i cili udhëhoqi projektin, shpjegoi për CNN: “Teknikisht gruri i marrë atje nuk mund të konsumohet. Por gjatë distilimit, papastërtitë ulen ndjeshëm dhe produkti final është shumë më i pastër”. Kërkuesit themeluan edhe një kompani për të shitur vodkën “Atomik” dhe kanë vendosur që 75% të fitimeve t’ia kthejnë komuniteteve të prekura nga katastrofa.

Shkarkoni aplikacionin e A2