Dokumentari i RAI 3, Rama: S’ka pikë lidhje me gazetarinë. PD: RAI 3 në listën e armiqve si Bild dhe VOA

Nuk shuhen ende polemikat dhe replikat pas dokumentarit të transmetuar nga kanali televiziv shtetëror italian RAI 3 mbi trafikun e drogës në Shqipëri.

Pas deklaratave të ministrit të brendshëm, Sandër Lleshaj, që cilësoi dokumentarin si një “sallatë televizive pa asnjë vlerë”, reagoi përmes rrjeteve sociale edhe kryeministri Edi Rama, i cili në një postim deklaroi, duke komentuar ndërhyrjen e Lleshajt, se është “e kotë të harxhosh kohë me shumëçka sot serviret ende si gazetari, po me gazetarinë s’ka pikë lidhje. Çka vërtetë vlen çdo minutë janë reformat, punët, veprat”.

Pak minuta më vonë, replikoi partia Demokratike me anë të Gazmend Bardhit, i bëri paralelizmin me kritikat që sipas tij kryeministri i ka drejtuar edhe mediave të tjera të huaja si Bild dhe Zëri i Amerikës.

“Rai 3 në listën e armiqve të jashtëm të Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt, bashkë me Zërin e Amerikës dhe Bildin. Prokurori i Antimafias Italiane nuk është “llafe në erë”. Karabinieria italiane nuk është “llafe në erë. Faktet e partnereve janë të pakundërshtueshme!”, deklaroi Bardhi në Twitter.  

Sipas tij “në Shqipëri është  mbjellë 5 herë më shumë kanabis se vjet. Shqipëria bazë për kokainën kolumbiane dhe heroinën afgane”, dhe se vendi është shndërruar në ”parajsën e krimit të organizuar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2