Ikën siguria e lartë në burgun e Fushë Krujës, të dënuarit peticion: Mos na transferoni

Një urdhër i Ministrisë së Drejtësisë që kthen burgun e Fushë-Krujës nga një burg i sigurisë së lartë, në një burg të sigurisë së zakonshme, ka revoltuar të dënuarit e këtij institucioni. Ata janë kundër ndryshimit të klasifikimit të sigurisë dhe urdhrit për transferimin e tyre në masë në burgje të tjera në vend.

88 prej tyre, mes të cilëve të dënuar përjetë për krime të rënda, i janë drejtuar me një peticion ministres Etilda Gjonaj dhe zinxhirit drejtues të shtetit, ku kërkojnë rishikimin e vendimit.

Në peticionin me 88 firma, një kopje e të cilit u sigurua ekskluzivisht nga A2CNN, të dënuarit pretendojnë se transferimi i tyre është në kundështim me ligjin “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burg”.

Deklarata e plotë e të burgosurve

“Duke qenë se transferimi jonë në Peqin dhe Korçë do të krijonte një distancë të madhe me familjarët dhe rrethin tonë shoqëror, një ngarkesë më të madhe ekonomike dhe një shkëputje nga programet trajnuese të organizatave jo-fitimprurëse, transferimi jonë do të binte në kundërshti të plotë me interesat e shoqërisë për riedukimin dhe rehabilitimin tonë”.

Mes firmëtarëve spikasin Fran Marashi, një nga të arratisurit nga burgu i Drenovës në vitin 2013, Ilir Kupa i bandës së “Babagjyshëve”, Endrit Dokle i “bandës së Durrësit”, apo Kostandin Xhuvani, i vrasjes së 4-fishtë tek Rruga e Elbasanit. Në rast mosplotësimi të kërkesës, të dënuarit kanë paralajmëruar grevë urie.

Shkarkoni aplikacionin e A2