Lleshaj pas emisionit të “Rai 3” për kanabisin: Sallatë televizive, e vërteta është ndryshe

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagoi pas publikimit të disa ditëve më parë të një dokumentari nga televizioni italian Rai 3, sipas të cilit 1/3 e territorit të Shqipërisë është i mbjellë me hashash.

Sipas ministrit Lleshaj ky dokumentar pa asnjë vlerë, me synimin e vetëm shtimin e audiencës i mjaftoi mazhorancës  për të kaluar në konkluzione të pavërteta.

“Një emision i televizionit italian “Rai 3” i pak ditëve më parë i mjaftoi opozitës që, si përherë, të nxitonte për të kërcyer tek konkluzione haluçinante, të cilat meritojnë vërtet keqardhje.

Disa histori nga e shkuara si Lazarati, kjo “markë” autentike e PD, apo edhe episode të tjera të shkuara (përzier në njē sallatë televizive sensacionale, pa asnjë vlerë dokumentare, po me synimin e vetëm audiencën e interesuar për show) kanë frymëzuar opozitën e plandosur jashtë-parlamentare”, shprehet ministri i Brendshëm.

Ministri Lleshaj deklaron se e vërteta për çështjen e kultivimit të kanabisit në Shqipëri është ndryshe nga ajo çfarë shfaqet në dokumentarin e Rai3. Sipas tij lufta kundër kultivimit të kanabisit është fituar, kjo falë dhe bashkëpunimit me partnerët italianë.

“E vërteta është krejt ndryshe nga ç’ka paraqet mishmashi televiziv i përgatitur nga njerëz që janë larg së qeni në nivelin e respektit tonë për kanalin publik italian. Falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët italianë, lufta kundër kanabisit si fenomen, është një luftë e fituar e shtetit shqiptar! Rezultatet në këtë fushë, të konfirmuara nga monitorimi i specializuar i partnerëve italianë, janë kokëforta dhe të mirënjohura“, shkruan Lleshaj.

Në fund, ministri Lleshaj shkruan se fenomeni “kanabis” është një histori e së shkuarës dhe lufta kundër tij është një “bast” i fituar nga mazhoranca.

Shkarkoni aplikacionin e A2