Miqësorja historike, Milani 2-0 ndaj një Feronikeli dinjitoz në një stadium të zbrazët

Mbyllet me një fitore të Milanit sfida midis gjigantëve të Serisë a dhe Feronikelit, por rezultati nuk ishte aq i rëndësishëm sa mundësia për publikun kosovar që të shoh nga afër ekipin italian, fitues i shtatë kupave të Kampionëve.  

Në fakt pritej që publiku të ishte atraksioni më i madh i ndeshjes, dhe që stadiumi Fadil Vokrri në Prishtinë do të mbushej plot për sfidën që për herë të parë shihte një ekip kosovar kundër kuqezinjve italian.

Por me sa duket një atraksion më i madh për publikun kosovarë kanë qenë brigjet e Adriatikut, ose pamundësia ekonomike për  të përballuar një çmim disi të kripur të biletave, si dhe karakteri miqësor i ndeshjes.  Si rezultat, stadiumi paraqitej pothuajse i zbrazët.

Milani kaloi në avantazh me një goditje dënimi perfekte të spanjollit Suso në minutën e 26-të, por italianët nuk munden të thyejnë sërish portën e portierit Samakiqi falë një mbrojte të fortë të kosovarëve.

Ekipi i trajnerit Giampaolo dyfishon rezultatin vetëm në pjesën e dyte, ku futen në lojë edhe yjet Piatek dhe blerja e re Leao, nga një asist i të cilit përfiton Borini (57’).

Feronikeli ishte gjithsesi protagonist i një ndeshje dinjitoze, deri diku edhe të ashpër, dhe meritonte golin e nderit në minutën e 75-të, aty ku Rexha me një aksion të bukur godet traversën.

Shkarkoni aplikacionin e A2