Tajfuni “Lekima”, viktima, dhjetëra të zhdukur dhe 1 milion të evakuuar në Kinë

Së paku 13 persona kanë humbur jetën ndërsa 1 milionë banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre pasi tajfuni “Lekima” goditi Kinën. 

Sipas televizionit shtetëror, 16 persona rezultojnë të zhdukur pasi qyteti i tyre u shkatërrua nga stuhia. “Lekima” goditi vendin në orët e para të kësaj të shtune, në Uenling, qyteti mes Tajvanit dhe Shangait.

Stuhia u përshkrua fillimisht si super tajfun, por me kalimin e orëve u dobësua edhe pse fuqia e erës rezultoi shkatërrimtare. Pritet që tajfuni të godasë brenda ditës Shangain, me popullsi mbi 20 milionë banorë.

Dhjetëra qytete po vuajnë mungesën e energjisë elektrike ndërsa rrugët janë pushtuar nga pemët e rëna. Mbi 1 mijë fluturime janë anuluar ndërsa shërbimet hekurudhore janë ndërprerë në të gjithë vendin.

Sipas “Xinhua”, agjencisë shtetërore të lajmeve, tajfuni “Lekima” është i nënti që godet Kinën për këtë vit, por është stuhia më e fuqishme ndër vite. 

Shkarkoni aplikacionin e A2