Vetëvritet në qeli miliarderi i akuzuar për skandale seksuale

Mbyllet në mënyrë dramatike një nga ngjarjet më të bujshme në mediat amerikane gjatë muajve të fundit.

Miliarderi Jeffrey Epstein ka vrarë veten në qelinë e tij në një burg të Nju Jorkut, një muaj pas tentativës së parë  dhe vetëm pak orë pas zbulimit të qindra faqesh dokumentacioni mbi akuzat e rënda që peshojnë mbi të.

Financieri i suksesshëm akuzohet se në veçanti në periudhën 2002-2005 kishte joshur me dhjetëra vajza, disa prej të cilave të mitura dhe se i kishte detyruar ato të kryenin marrëdhënie seksuale bashkë me personazhe të tjera të njohura të shoqërisë së lartë amerikane dhe jo vetëm.  

Ishulli i Little St. James, pronë e Epstein, ku mendohet se kanë ndodhur shumë nga abuzimet e tij ndaj të miturave

Shumë interesante në këtë pjesë ka qenë dëshmia e njërës prej vajzave, Virginia Roberts Giuffre,  e cila ka deklaruar se miliarderi në atë periudhë e kishte shndërruar në një skllave seksi dhe e kishte shtrënguar të kishte marrëdhënie seksuale me personazhe të njohur, deri tek princi Andrea i Anglisë, duka i Jorkut dhe djali i mbretëreshës Elisabeth, por edhe senatorin Geroge Mitchell, guvernatorin e New Mexico Bill Richarddson dhe avokatin e njohur Alan Dershowitz.

Akuza të rënda, që me vetëvrasjen e Epstein rrezikojnë të mbyllen përgjithmonë, edhe pse me siguri të vazhdojnë kërkesat për dëmshpërblim.

Deri në vitin 2005, viti ku u arrestua për herë të parë me akuzën e krimeve seksuale,  Epstein cilësohej si një nga financierët më të famshëm dhe gjenial të Wall Street, me miqësi të forta në botën e biznesit por edhe të politikës, dhe ishte i mik i presidentit Donald Trump, por edhe të familjes Clinton.

Shkarkoni aplikacionin e A2