Aksioni në plazhe, Haxhimali: Strategji e gabuar, jo gjatë sezonit turistik

Lirimi i hapësirave publike në plazhe në kulmin e sezonit turistik nuk është strategjia e duhur që duhet të ndjekë qeveria. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, shprehet skeptik mbi kohën e zbatimit të tij, duke shtuar se kjo e bën atë joefektiv.

“Ndërhyrja e Qeverisë është krejtësisht e gabuar për momentin, por që është e drejtë sepse nuk duhet lejuar informaliteti. Më mirë pranoje, po e ritheksoj të paligjshmin, merri taksat, merrja të gjitha 100%, pastaj në fund merr masa të tjera ndaj atyre që e kanë lënë deri në këtë moment”, thotë ai

Haxhimali e cilëson të gabuar vendimin e qeverisë për heqjen e kompetencave të pushtetit vendor për përgjegjësinë e plazheve publike, duke argumentuar se kalimi i tyre pushteti qendror do të ta përkeqësojë më tej situatën në plazhe. “Do të rrisë korrupsionin, informalitetin, burokracitë, do të ulet interesi i bizneseve të interesuar për të kryer veprimtari ekonomike në vijën bregdetare”, shprehet Haxhimali.

Strukturat e Task-Forcës kanë zbritur në terren për lirimin e hapësirave publike në zonat bregdetare të vendit. Ndërkohë, ligji i ri që iu heq administrimin e plazheve bashkive pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN