Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Festohet Kurban Bajrami, besimtarët falen në Sheshin “Skënderbej”

Nga A2 CNN
11 Gusht 2019, 09:00 | Aktualitet

Qindra besimtarë myslimanë falën që prej orës 7:00 namazin e Kurban Bajramit, një prej festave më të shënuara të fesë islame. Edhe këtë herë, në pritje të përfundimit të punimeve në Xhaminë e Namazgjasë, besimtarët kryen ritet e tyre në Sheshin “Skënderbej”.

Festa e Flijimit, siç njihet ndryshe, paraprihet nga pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit, ku marrin pjesë mbi 2 milionë myslimanë, të cilët mblidhen në Mekë, një prej tre vendeve të shenjta të fesë islame. Në fjalën e rastit, mbajtur para besimtarëve, Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, tha se këtë vit në Haxh morën pjesë 400 shqiptarë.

“Kurban Bajrami është dita ku ne i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me sytë e dashurisë. Allahut i intereson devotshmëria jonë. Kurbani do të thotë afrim të njeriut me krijuesin. Njerëzit nuk duhet t’i ndërpresin shpresat te Allahu”, u shpreh Spahiu.

Çfarë është Kurban Bajrami?

Kurban Bajrami (në arabisht Eid Al-Adha), ose Festa e Flijimit, është një prej dy festave më të shenjta të fesë islame. Ajo nderon vullnetin e Profetit Ibrahim për të flijuar djalin e tij pasi kështu e urdhëroi Zoti. Por, para se ta kryente flijimin, Zoti i dhuroi Ibrahimit një qengj për të flijuar atë në vend të të birit. Në kujtim të kësaj ndërhyrjeje të shenjtë, një qengj apo kafshë tjetër theret dhe mishi ndahet në tri pjesë. Një pjesë mbahet për t’u konsumuar në shtëpi, një pjesë u jepet të afërmve dhe pjesa e tretë u jepet të varfërve dhe personave në nevojë.

https://a2news.com/2019/08/11/meta-uron-kurban-bajramin-te-ngrihemi-mbi-interesat-personale/

A2 CNN Livestream

Dita jonë