Një ditë në kryeqytetin me të shkuar joshëse

Kjo është Tirana, një metropol krejtësisht i zakontë për ata që çdo ditë ecin në këto rrugë, por grishës për të huajt. Francezë, zviceranë, italianë e çekë, kanë zgjedhur të njohin Shqipërinë dhe jo vetëm për një ditë. Si e shohin turistët këtë kryeqytet sa europian dhe të lidhur me të shkuarën e tij? Do mundohemi ta zbulojmë duke udhëtuar bashkë me ta.

Nuk ishte aspak e vështirë të gjeje në Tiranë një grup turistësh të cilët interesoheshin jo vetëm për historinë e vendit, por edhe institucionet kulturore kruyesore. Në këtë rrugëtim thuajse turistik do t’ju rrëfejmë një pjesë të asaj Tirane që e shohim çdo ditë, por që nuk e tregojmë siç duhet.

“Unë kam dy javë në Shqipëri. Bashkë me të dashurën time kemi vizituar edhe veriun edhe jugun e këtij vendi. Ditët e fundit vendosëm të qëndrojmë në kryeqytet për të njohur edhe më shumë historinë”, thotë një turist.

“Aktualisht ndihem e befasuar pasi kisha dëgjuar shumë pak për Shqipërinë dhe mendoja se nuk do të kishte kaq shumë ndërtesa dhe histori për të mësuar. Në fakt kam vetëm dy ditë që kam mbërritur në Tiranë dhe po mësoj për një të shkuar historike që ende ndihet në këtë qytet. Mendoj se historia për shkak edhe të komunizmit po më tërheq shumë. Bunkerët, komunizmi, piramida dhe shumë ndërtesa të tjera që shpjegojnë një mënyrë tjetër të jetës së mëparshme të qytetit… janë fantastike t’i zbulosh përmes ndërtimeve”, thotë një zvicerane.

Pse zgjodhët Shqipërinë këtë verë? “Sepse kisha dëgjuar të flitej për të. Unë jetojnë Zvicër dhe aty ka shumë shqiptarë. Isha kureshtare të njihja këtë vend, që shquhet për njerëz mikpritës, ushqim të mirë dhe një vend i lirë”, shton ajo.

“Ne ishim në Theth, një natyrë fantastike. Do të qëndrojmë edhe disa ditë këtu për të parë rivierën. Sot, kemi vizituar Tiranën sepse e shkuara komuniste ishte diçka që na joshi të vihemi në kërkim të bunkerëve. Më pëlqeu shumë Bunk’Art, histori dhe art. Nuk duhet harruar e kaluara”, na tregon një tjetër turist.

Muzeu, galeria, kalaja e Tiranës janë vetëm disa nga destinacionet që Ergys Xhikola, si udhërrëfyes i tregon në kryeqytet, turistëve të huaj. “Xhamia e re është një tjetër atraksion që pritet t’i shtohet qytetit, shpresojmë të hapet sa më shpejt”, tregon Xhikola. “Pjesa e komunizmit është ajo që u intereson më tepër por edhe ndryshimi i qytetit”.

Ndonëse janë ende çekët dhe polakët ato që vizitojnë më shumë Shqipërinë, kohët e fundit sipas tij, Zvicra, Italia dhe Franca po joshen të mbërrijnë në këtë vend ku gjurmët e së shkuarës janë ende të freskëta. “Polakët dhe çekët janë numrat më të mëdhenj që po e vizitojnë të gjithë Shqipërinë”, thotë Xhikola. Ai e bën këtë punë pre tre vitesh. “Numrat rriten gjithmonë, kemi shumë potencial dhe shpresojmë ta menaxhojmë në mënyrën e duhur”.

“Unë vij nga Franca dhe në mënyrën e jetesës nuk shoh shumë ndryshime, por historia juaj është joshëse dhe shumë objekte nga diktatura janë ende gjurmë të freskëta në këtë vend. e kaluara më duket interesante”, tregon një turist.

“Dy vite më parë isha në Tiranë, por tani u riktheva edhe për të vizituar vende të tjera. Isha në Përmet e berat. Do të vizitoj bashkë me mikun tim edhe qytete të tjera e më pas do të shkruaj për Shqipërinë sepse jam gazetare”, thotë një tjetër turiste. “Këtë herë largohem me përshtypje edhe më të mira. Ka ndryshuar shumë edhe Tirana. Ndërtesat janë më të larta”.

Këto vite, ajo që ka ndryshuar në rrugët e Tiranës, është edhe më e madhe. Nuk janë vetëm mosha e tretë që shohim me çanta në shpinë ti drejtohen piramidës apo bunkerëve, por edhe të rinjtë, që kanë fuqi dhe dëshirë të shpenzojnë edhe më shumë se një ditë në kryeqytetin shqiptar.

Shkarkoni aplikacionin e A2