Rama, mesazh drejtuesve të PS: Administratorët, shërbëtorë të komunitetit, jo të fortë e injorantë

Me anë të një mesazhi, Edi Rama u ka kërkuar drejtuesve të PS në qarqe që në mbledhjen e Këshillit Drejtues të kësaj partie në fund të gushtit, duhet të paraqesin propozimet për stafin e ri politik, nënkryetarët dhe administratorët.

“Një nënkryetar duhet të jetë medoemos grua dhe kjo vlen edhe për bashkitë e majta – kush s’e ka do ta gjejë e ta vendosë! Profili i administratorëve duhet të jetë PROFIL SHËRBËTORI I KOMUNITETIT, jo profile te fortësh, injorantësh, bataçkinjsh, feudalësh partiakë! Zgjedhja e tyre duhet të mirëpritet jo thjesht nga partia e zonës, po nga komuniteti i zonës dhe më mirë të mërzitet partia se sa komuniteti! Mbajeni parasysh që nuk kam për të pranuar kandidatura nga ato tipiket që dredhin zinxhir se medemek marrin vota! Mos kemi llafe për këtë, ju lutem”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Ramës.

Gjithashtu, Rama u ka kërkuar edhe raport për drejtorët aktualë në bashkitë e djathta. “Formimi profesional, niveli i militantizmit, lidhjet nepotike dhe niveli i punës së tyre konkrete në bashki. Po ashtu, një listë propozimesh (minimumi dy për një vend) për zëvendësues eventualë, mundësisht të konsultuar paraprakisht me deputetët, ASNJË LËVIZJE DERI ATË DITË!”.

Më tej, kreu i PS ka kërkuar që asnjë nga kryetarët e komunave përpara vitit 2015 të mos propozohet për administrator. “Edhe një merak paraprak që mos i ngrini mendjen kujt: Asnjë nga ata që kanë qenë kryetarë komunash përpara 2015 në bashkitë e djathta, mos ma sillni propozim për administrator! Janë të nderuar e të respektuar për kontributet e tyre, po mos harroni mesazhin e 30 qershorit, populli, pavarësisht kush ka votuar e kush jo, nuk e ka mbështetur rrugën që zgjodhëm për të majtën, po PËR TË DREJTËN! Kjo do të thotë ndër të tjera se jo vetëm s’duhet të japim shenja që lexohen si mbyllje brenda gardhit tonë, po duhet të bëjmë çmos që shenjat që japim me vendimet tona, të kuptohen si vullnet hapjeje e gjithëpërfshirjeje – me njerëz të ditur, të edukuar, të respektuar, të cilët mund të mos kenë sjellë vota, sepse nuk kanë qenë të angazhuar direkt për shkak të mbylljes së partisë ndër të tjera, por që mund të na sjellin shumë më tepër vota në 2021-shin, se sa të tjerë që duken sikur janë të vetmit po nuk janë!”.

Duhet të bëni gjithçka, e mbyll mesazhin Rama, që PS të fitojë për Shqipërinë në qershor 2021! Kjo është në themel të krijimit të këshillave drejtues të rajoneve.

Shkarkoni aplikacionin e A2