Ekzekutim në Rrëshen, Armando Gjini vritet në sy të fëmijëve

Qyteti i Rrëshenit është tronditur mesditën e kësaj të hëne, ku në qendër të tij shumë pranë Katedrales është ekzekutuar me armë zjarri 48-vjeçari Armando Gjini, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini.

Ai është qëlluar me armë teksa lëvizte me automjetin e tij, ndërsa dëshmitarët okularë thonë që krimi i rëndë ka ndodhur në sy të dy fëmijëve të viktimës, të cilët ishin në makinë me të atin. Edhe pse kalimtarë të rastit e kanë dërguar në spital me shenja jete, Gjini nuk ka mundur dot t’u mbijetojë plagëve të plumbave.

Autorët e këtij krimi, të cilët dyshohet se lëviznin me një fuoristratë me xhama të zinj, janë larguar me shpejtësi dhe Policia po punon për identifikimin e tyre. Pak pas ngjarjes është gjetur një automjet i djegur, që dyshohet se është përdorur nga autoret e këtij krimi.

Armando ose Tonin Gjini ka qenë i arrestuar në vitin 2018 për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Disa muaj më parë ai i kishte shpëtuar një atentati me eksploziv në mjetin e tij. Por kësaj radhe prita ka rezultuar fatale për 48-vjeçarin.

Shkarkoni aplikacionin e A2