Memoriali turk, Çollaku për A2 CNN: Ftesa erdhi nga ambasada turke

Për vendosjen në Parkun e Liqenit në Tiranë, të një memoriali kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të Shtetit në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016, Partia Demokratike deri tani ka heshtur.

Memoriali

A2 CNN kontaktoi me Kreshnik Çollakun, ish kryekëshilltarin e të djathtëve në bashkinë e Tiranës, i cili mori pjesë në këtë ceremoni. Ai thotë se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së ambasadës turke, si përfaqësues i PD.

Nuk kam dijeni si është zhvilluar procedura për vendosjen e memorialit dhe përgjigja duhet marrë nga institucioni i bashkisë ose Ambasadës Turke. PD si të gjitha vendet demokratike në botë, nga ShBA e BE, e kanë dënuar grushtin e shtetit në Turqi. Marrja e pushtetit përmes grushtit shtetit nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme në Turqi, por një çështje e parimeve demokratike që mbështeten në konventa ndërkombëtare, ku Shqipëria bën pjese.  Në marrëdhëniet ndërshtetërore secila palë respekton palën tjetër në mënyrë reciproke”.

Kreshnik Çollaku, PD

Të dielën, vetë kryebashkiaku Veliaj nuk i dha aspak rendësi debatit nëse Shqipëria po i lëshon terren Turqisë me këtë memorial, madje pohoi se as nuk e di ku ndodhet .

Një përgjigje e tillë, që nuk mbartte asnjë sqarim, nuk kaloi pa u kritikuar edhe nga Zëri i Amerikës. Ky i fundit shkruan se Kryebashkiaku Veliaj nuk shpjegoi se i kujt ishte vendimi për ngritjen e Memorialit, dhe cilat ishin motivet e një vendimi të tillë.

Kreshnik Çollaku në ceremoninë e memorialit turk

Tre ditë pas ceremonisë në Tiranë kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”- Shkruan Voa.

Deklarata e plotë e Kreshnik Çollakut për CNN

Në ceremoni kam marrë pjesë si përfaqësues i PD në përgjigje të një ftese zyrtare nga ambasada turke në Tiranë.

Dita e 15 korrikut për Turqinë është shpallur dite zyrtare, dhe kjo e kategorizon si detyrim zyrtar respektimin e asaj date në marrëdhëniet ndërshtetërore.

PD si të gjitha vendet demokratike në botë nga ShBA, BE etj  e kanë dënuar grushtin e shtetit në Turqi. Po ashtu dhe opozita turke ka dënuar grushtin e shtetit. Marrja e pushtetit përmes grushtit të shtetit nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme në Turqi por një çështje e parimeve demokratike të cilat mbështeten në konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është pjesë, për këtë Shqipëria dhe bota demokratike e dënuan grushtin e shtetit në Turqi.

Turqia dhe institucionet e saj kanë të drejtë të shpallin ditët kombëtare dhe dëshmoret e tyre, ky nuk është tagër i yni, dhe interpretimi subjektiv është krejt pavend.

Në marrëdhëniet ndërshtetërore secila palë respekton palën tjetër në mënyrë reciproke.

Nuk kam dijeni si është zhvilluar procedura për vendosjen e memorialit, për këtë duhet t’i drejtoheni institucioneve të bashkisë ose ambasadës turke. Ne kemi respektuar ftesën zyrtare të ambasadës turke në Tiranë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN