Akuzat ndaj Valdrin Pjetrit, Rama: Deri kur e vërteta ligjore të dalë, i kemi rrugët e ndara – A2

Akuzat ndaj Valdrin Pjetrit, Rama: Deri kur e vërteta ligjore të dalë, i kemi rrugët e ndara

Pas publikimit të dokumenteve nga Partia Demokratike në të cilat tregohej se si kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri, ishte dënuar në Itali për trafik lëndësh narkotike, Kryeministri Rama reagoi duke thënë se rrugët e PS dhe atij ndahen deri në daljen e të vërtetës ligjore.

“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!”, shkroi Kryeministri në Twitter.

“I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”.

Rama shtoi se nuk ka ndërmend të tolerojë askënd. “Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS!”.

Shkarkoni aplikacionin e A2