Akuzohet për korrupsion, kontrollohet banesa e ish zv/kancelarit austriak

Forcat e policisë në Austri kanë ushtruar kontroll në banesën e ish zv/kancelarit të ekstremit të djathtë, Heinz-Christian Strache në bazë të një hetimi të nisur ndaj tij për korrupsion. Kjo ngjarje mund të konsiderohet si një dhimbje koke për ish kancelarin Sebastian Kurz, i cili do të kërkojë një mandat të ri në zgjedhjet e ardhshme.

Banesa e Strache u kontrollua si pjesë e një hetimit të nisur për marrje ryshfeti me caktimin e një zyrtari të lartë të partisë së ekstremit të djathtë në një pozicion të lartë në Casinos Austria.

Strache dha dorëheqjen nga posti i zv/kancelarit dhe kreut të FPOe në Maj pas shpërthimit të një skandali të njohur me emrin “Ibiza-gate” i cili përfundoi me rrëzimin e Kurz dhe qeverisë së tij të koalicionit.

Kontrolli në banesë, sipas mediave, nuk ka lidhje me Ibiza-gate”, por mund të dëmtojë partinë e Kurz, OeVP në zgjedhjet e ardhshme të 29 shtatorit. Në sondazhe, OeVP del sërish forcë e parë, por do t’i nevojitet një partner koalicioni për të marrë mazhorancën në parlament. Deri në këto momente nuk ka asnjë reagim nga ana e Strache dhe Kurz për këtë çështje.

Strache aktualisht është nën hetim për videot që u regjistruan me një kamera të fshehtë në një resort në Ibiza në vitin 2017, ku shfaqje duke i premtuar kontrata publike një biznesmeni rus nëse e mbështeste në zgjedhje.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN