Arrest me burg për Gentian Dodën, pas dy vrasjeve jetoi ilegalisht në Britaninë e Madhe – A2

Arrest me burg për Gentian Dodën, pas dy vrasjeve jetoi ilegalisht në Britaninë e Madhe

Gentian Doda, i ekstraduar nga Anglia 3 ditë më parë, u njoh me masën e sigurisë “arrest ne burg” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ai akuzohet për korruptimin me 30 mijë euro të gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri. Sipas Prokurorisë, kundrejt ryshfetit gjyqtari Miri la në fuqi vendimin ndryshoi një denim te mëparshëm ndaj Dodës nga “vrasje” në “plagosje të rëndë”. Masa e sigurisë e dhënë në mungesë për të u ekzekutua një muaj më parë, kur ai u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar.

Doda ka qenë i dënuar më parë për një vrasje të dyfishtë në vitin 1997 në Burrel. Ai jetonte në Britaninë e Madhe në mënyrë të fshehtë, pasi kishte arritur dy herë të futej ilegalisht në vend. Sipas mediave britanike ai ka mundur të qëndrojë aty për 13 vite dhe u kap fillimisht vetëm falë autoriteteve amerikane të cilat i kontrolluan shenjat e gishtave gjatë një udhëtimi për në Los Angeles me pasaportë false. Doda pretendonte se quhej Azem Shaqiri, djali i një ish-luftëtari të UÇK të vrarë në Luftën e Kosovës, por i pyetur nga amerikanët nuk arriti të shqiptonte fjalën Mitrovicë, që në pasaportën e tij ishte qyteti i lindjes.

Ai u deportua dhe pasaporta e tij u konfiskua. Por katër vite më vonë, ai arriti të rifutej në Britaninë e Madhe, pasi arriti të lirohej falë aferës së korrupsionit ndaj gjyqtarit Miri. Aty qëndroi edhe për dy vite të tjera, për t’u arrestuar më pas dhe për t’u dërguar sërish në Shqipëri.

Shkarkoni aplikacionin e A2