Dënimi i Valdrin Pjetrit, PD nxjerr shkresat: Pranoi fajësinë për trafik droge

Sekretari i Përgjithshëm i demokrateve, Gazmend Bardhi, publikoi të dhënat e Kuesturës së Firences në Itali, në lidhje me kandidatin socialist për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri.

Sipas dokumentit, Pjetri është arrestuar në flagrancë në Firence në 27 janar 2003, ndërsa është dëbuar nga Italia më 4 shkurt 2003, pasi u dënua më 21 qershor 2003 nga Gjykata e Firences me 18 muaj burgim dhe gjobë 1000 euro.

Gjatë publikimit të dokumenteve në një konferencë për mediat, sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, tha se Pjetrit i ndalohet nga ligji i dekriminalizimit të ushtrojë funksion publik. Ai tha gjithashtu se këtë informacion e kishte edhe Kryeministri Edi Rama, para se ta emëronte Pjetrin si drejtues politik të Partisë Socialiste për Shkodrën.

“Partia Demokratike i kërkon organit të prokurorisë nisjen e menjëhershme të procedimit penal ndaj shtetasit Vladrin Pjetri, për kryerjen në mënyrë të përsëritur, në të paktën 4 raste, të krimit të falsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit”, u shpreh Bardhi. “Edi Rama dhe kukullat e tij në prokurori, mund ta pengojnë apo vonojnë nxjerrjen e rezultateve zyrtare për këtë rast. Por ato nuk do të arrijnë kurrë t’i imponojnë Shkodrës dhe qytetarëve të saj të nderuar, një Kryetar Bashkie, pjesë të krimit të organizuar dhe një trafikant të dënuar droge”.

Shkarkoni aplikacionin e A2