Aksioni antiinformalitet, paketa me ndryshimet ligjore gati në shtator

Ndryshimet e reja ligjore të Kodit të Procedurave Tatimore do të jetë gati në fillim të shtatorit. Sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paketa do të përfshijë masa të ashpra për të gjitha bizneset që kapen në shkelje. 

“Gjithë ky proces dy mujor na ka mësuar që përtej përpjekjes dhe daljes çdo ditë dhe çdo natë ne duhet të shikojmë dhe paketat tona të administratës, sidomos të atyre të kodit të procedurës, të cilat lidhen me gjobat dhe me masat që merren. Ne do ta çojmë këtë paketë për konsultim publik”, tha ministrja Denaj.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, tha se aksioni kundër evazionit fiskal do të vijojë përgjatë gjithë këtij viti dhe do të përqendrohet kryesisht te zonat bregdetare si dhe në kryeqytet, ku janë evidentuar edhe evazorët më të mëdhenj.  

Iu bëjmë thirrje të gjithë subjekteve që të gjithë do të inspektohen, ilegaliteti nuk do të lejohet më, pasi është në kurriz të konsumatorëve. Ne do të vazhdojmë të jemi në terren, jo vetëm në muajin gusht, por gjatë gjithë vitit, duke u transferuar nga bregdeti tek qytetet kryesore”, u shpreh Drejtoresha e Tatimeve, Ibrahimaj.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore që prej nisjes së aksionit janë kontrolluar në total mbi 4200 subjekte në të gjithë vendin, ndërsa janë evidentuar në shkelje mbi 1200 prej tyre, kryesisht për mos lëshim të kuponit tatimor. 

Shkarkoni aplikacionin e A2