Dekriminalizimi për Shkodrën, Prokuroria kërkon shenjat e gishtërinjve të Kryebashkiakut – A2

Dekriminalizimi për Shkodrën, Prokuroria kërkon shenjat e gishtërinjve të Kryebashkiakut

Valdrin Pjetri nuk kishte as garë me 30 qershor për Bashkinë e Shkodrës, ndërsa ende pa u betuar, mandat i tij është i rrezikuar. Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar shkresën Ministrisë së Brendshme për të marrë shenjta e gishtërinjve për të zgjedhurin si Kryebashkiak i Shkodrës.

Verifikimi nisi nga Drejtoria e Dekriminalizimit menjëherë pas shkresës së Partisë Demokratike që fillimisht kërkoi konfirmim nëse Pjetri është dënuar dhe dëbuar nga Italia. Shenjat e gishtërinjve janë mekanizmi themelor në ligj që vë në lëvizje procesin e dekriminalizimit. Pasi ato kërkohen nga Prokuroria dhe sigurohen nga Ministria  e Brendshme, është Ministria e Drejtësisë e cila i dërgon shenjat në Itali, në këtë rast, për të verifikuar nëse Pjetri rezulton i dënuar me 18 muaj burg për trafik droge, sipas dokumenteve që publikoi Partia Demokratike nga Kuestura e Firences të martën.

A është Valdrin Pjetri i vetmi i zgjedhur vendor në bashki apo këshilla, subjekt i mundshëm i dekriminalizimit? Këtë gjë partitë politike kanë pasur në dorë ta verifikojnë vullnetarisht para 30 qershorit, pasi ligji ua jep të drejtën e kërkesës në Prokurori për verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve të tyre.

Por organi i akuzës i konfirmoi A2 CNN se asnjë subjekt politik apo kryetar partie nuk ka kërkuar verifikim të kandidatëve. Ekziston edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Drejtorisë se Dekriminalizimit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e firmosur disa muaj para zgjedhjeve lokale, por sërish para 30 qershorit nuk pati asnjë rast konkret.

Ndërkohë pas 30 qershorit burimet konfirmuan se janë paraqitur kërkesa vetëm për 7 këshilltarë bashkiakë. Ndërsa për kryebashkiakë është vetëm ajo e Partisë Demokratike për Valdrin Pjetrin e Shkodrës për të cilën Prokuroria ka nisur verifikim.

Shkarkoni aplikacionin e A2