PD i jep Prokurorisë të dhënat për Valdrin Pjetrin: Pse po vonohet verifikimi?

Partia Demokratike i dërgon një tjetër letër Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen e dënimit në Itali të kryebashkiakut të sapozgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri. Në letrën që mban firmën e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, PD i vë në dispozicion Prokurorisë të gjitha informacionet që disponon për çështjen e dënimit të Valdrin Pjetrit.

“Sipas këtyre të dhënave rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim.”- shkruan sekretari i PD, Bardhi.

PD i kërkon organit të akuzës që ta informojë atë dhe opinionin publik mbi procedurat e verifikimit që ka nisur dhe rezultatet e deritanishme të këtij verifikimi pasi sipas demokratëve Prokuroria ka 13 ditë që nuk është vënë në lëvizje për këtë çështje.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN