Tronditet Flamurtari, trajneri Gerd Haxhiu largohet para stërvitjes së parë

Vetëm pak ditë në krye të skuadrës. Ende asnjë stërvitje të zhvilluar, me ekipin që do te dilte në fushë pasditen e kësaj të mërkure dhe menjëherë lamtumira.

 Befasia vjen nga Flamurtari, me trajnerin Gerd Haxhiu që dha dorëheqjen. Gjithçka erdhi si një rrufe në qiell të hapur, pikërisht në momentin kur dukej se ekipi i sezonit të ri po merrte formë dhe kuqezinjtë nisën përgatitjen.

 Drejtuesi i stolit zgjodhi të largohej, sepse projekti i drejtuesve të klubit, me lojtarët që do të afrohen, nuk përputhen me diskutimet e bëra në momentin kur ai u emërua.

Ndërkohë, vetëm pak orë më parë, nga klubi u largua edhe drejtori i ri sportiv, Artim Pollozhani. Në vendimin e marrë, Gerd Haxhiut i mjaftoi të dëgjonte qëndrimin e administratorit Sinan Idrizi, në praninë e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli.

“Ekipi i Flamurtarit është i plotë. Lojtarët vlonjatë? Janë shtatë, por me Kukësin mund të shkojnë tetë… Nuk është normale që ekipi mos të ketë fazë përgatitore, por ne prandaj jemi vlonjatë, i kemi qejf vështirësitë”, ishin fjalët e Sinanit.   

Këto deklarata me shumë mundësi janë dhe ato që sollën krisjen e pariparueshme dhe largimin e trajnerit.

Shkarkoni aplikacionin e A2