Zi në botën e kinematografisë, ndërron jetë Gjergj Xhuvani

Është ndarë nga jeta në moshën 56-vjeçare, regjisori i njohur Gjergj Xhuvani. Skenaristi dhe producenti i më shumë se 15 filmave shqiptarë prej thuajse një viti kurohej edhe në Romë, ku muajt e fundit po punonte për një produksion të ri kinematografik.

Miqtë kanë lajmëruar se ai nuk është paraqitur në punë, për montazhin e filmit dhe kanë telefonuar në hotelin ku ai qëndronte. Xhuvani është gjetur i pajetë e mendohet se shkak është bërë një atak kardiak, ndonëse prej më shumë se një viti regjisori vuante nga një sëmundje, që siç duket ka ndërprerë edhe punën për filmin e ri.

Xhuvani lindi në vitin 1963 në Tiranë ku edhe u diplomua në degën e arteve dramatike. Në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “bardhezi”, ndërsa produksioni i fundit që la për shqiptarët është telefilmi me 5 seri i quajtur “Në kërkim të kujt”.

Autor i filmave të suksesshëm pas viteve ‘90, ndër të cilët “Lindje, Perëndim, Lindje”, “I dashur Armik” dhe “Dashuria e Fundit”, Xhuvani ishte bashkëshorti i aktores së njohur Luiza Xhuvani. 

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN