Bankat “lëshojnë pe”, biznesi dhe individët rrisin kërkesën për kredi – A2

Bankat “lëshojnë pe”, biznesi dhe individët rrisin kërkesën për kredi

Bankat po mbështesin ekonominë me kredi, pas hezitimit gati 1-vjeçar. Banka e Shqipërisë vlerëson në raportin e fundit të politikës monetare se gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, huaja është rritur si për bizneset, ashtu edhe për individët.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kredia për biznese u rrit me 7.3 miliardë lekë, ndikuar nga rritja e huave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe ato për koorporatat. 

Tregtia mbetet edhe sektori më i kredituar nga bankat, ndërsa të dhënat tregojnë për një zhvillim pozitiv edhe në sektorët e industrisë dhe ndërtimit, teksa ai i bujqësisë vijon të mbetet në nivele anemike për shkak të problemeve që has ky sektor si dhe gatishmërisë së ulët të bankave për ta financuar. 

Kredia për individë, nga ana tjetër, ka ndjekur një ecuri të qëndrueshme edhe gjatë këtij tremujori. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ajo shënoi një rritje vjetore prej rreth 6.4%, ku kredia konsumatore ka dhënë një kontribut të madh në këtë tremujor. Portofoli i kredisë hipotekuese u zgjerua me ritme të qëndrueshme, duke dominuar rritjen e kredisë totale për individë.

Përqendrimi më i madh i kredive evidentohet në kryeqytet me rreth 60% të saj, kryesisht për blerje banesash. 

Shkarkoni aplikacionin e A2