Dorëhiqet Valdrin Pjetri: Fatet e qytetit nuk mund të jenë të lidhura me ato të një individi

Valdrin Pjetri nuk do të betohet si kryetar i Bashkisë së Shkodrës. Përmes një postimi në Facebook, ai bëri të ditur se heq dorë nga marrja e detyrës. 

“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër. Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë! Ishte një ëndërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai”, shkruan Pjetri në rrjetet sociale.

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit erdhi dy ditë pasi opozita publikoi dokumentet që tregonin se ai kishte qenë i dënuar në Itali për trafik droge dhe se e kishte pranuar fajësinë dhe dënimin. Por tani Pjetri pretendon se është i pafajshëm. 

“Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudentë, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor. Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën, në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, shton ai.

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit e fut situatën jo vetëm në një ngërç politik por edhe ligjor. Ligji për Qeverisjen Vendore, në nenin 60 pika 4 mban në detyrë kryebashkiaken aktuale Voltana Ademi. “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.” 

Nga ana tjetër, Kodi Zgjedhor përcakton limitin kur mbaron mandati i kryebashkiakut. “Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.” 

Për zgjedhjet e vitit 2015, KQZ shpalli rezultatet më 10 gusht të atij viti dhe sipas kësaj formule, mandati i Voltana Ademit si kryebashkiake e Shkodrës do të duhej të përfundonte më 10 gusht 2019. Çfarë vështirëson akoma më shumë konfliktin ligjor, është se të dyja normat kanë të njëjtën hierarki dhe miratohen me 3/5 e votave në Parlament.

“Mund të ketë një kompromis për të lexuar ligjin dhe kompromisi është neni përkatës i ligjit për qeverisjen vendore, sipas të cilit kryetari i bashkisë qëndron në detyrë deri në momentin kur bën betimin kryetari i ri i bashkisë. Kështu që zonja Voltana Ademi mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në momentin kur kryetari i ri të bëjë betimin”, u shpreh analisti Afrim Krasniqi.

Teorikisht zgjidhjen mund ta ofrojë Presidenti i Republikës, duke dekretuar përsëritjen e zgjedhjeve në Shkodër, por Ilir Meta nuk e njeh 30 qershorin dhe as fituesit e tij, përfshi ata të dorëhequr.

Shkarkoni aplikacionin e A2