Filmi i fundit i Xhuvanit, një thirrje për t’u larguar nga droga dhe krimi

Këto janë pamjet e fundit nga sheshi i xhirimit të filmit “Liqeni im”. Premiera e tij do të duhej të ishte këtë vit, nëse regjisori Gjergj Xhuvani dhe gjithë ekipi i këtij produksioni kinematografik do të vijonin punën e do të bëheshin bashkë për duartrokitjet.

“Liqeni im” kishte mbyllur fazën e xhirimeve dhe mbetej ende shumë pak punë nga post produksioni. Vetë regjisori u nis drejt Romës këtë gusht të punonte. Shkoi në kryeqytetin italian për të punuar mbi zërat dhe audion e filmit që ishte një bashkëprodhim me Italinë dhe Maqedoninë. Të mërkurën, bashkëpunëtorët e kanë pritur si çdo ditë, por ai nuk ka shkuar. Zemra e shqetësoi dhe siç duket ajo ndërpreu edhe udhëtimin e tij kinematografik, udhëtimin e liqenit, që do të mbetet filmi i tij i fundit.

“Liqeni im” rrëfen historinë enjë djaloshi adoleshent, Kristos. “Liqeni mund të na jap të gjitha, nëse ne dimë sesi ta pyesim”, shkruan Kristo në tabelën e zezë të shkollës. E kështu mendohet të nisë filmi. Djaloshi i ri Kristo jeton në një fshat afër liqenit të Prespës, një lumë i ndarë në tri shtete: Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi. Kristo, pronari i një varke të vogël peshkimi, përfiton nga kjo situatë gjeografike dhe transporton drogë nga Shqipëria në Maqedoni. Filmi orvatet të na rrëfejë një rrugëtim jete, atë të një të riu që duhet të largohet nga droga.

Për t’i thënë lamtumirë të kaluarës së tij kriminale, Kristo u vë flakën parave të udhëheqësve të drogës. Historia përfundon ashtu si fillon me Kriston, i cili kompleton esenë e tij mbi atë se çfarë liqeni mund t’u jap atyre që dinë se çfarë t’i kërkojnë. Ky është mesazhi i fundit artistik nga Gjergj Xhuvani, që pa diskutim do t’i mungojë kinemasë shqiptare.

Shkarkoni aplikacionin e A2