Gjata: Rama po pengon Prokurorinë të nisë hetimet për Valdrin Pjetrin

Partia Demokratike thotë se Kryeministri Edi Rama, pavarësisht deklaratës se rrugët e PS dhe kandidatit socialist për Bashkinë e Shkodrës janë të ndara, po vepron ndryshe, për ta lejuar atë që të marrë drejtimin e qytetit.

Në një deklaratë për mediat, sekretari i PD për çështjet ligjore, Çlirim Gjata, tha: “Rama po pengon Valdrin Pjetrin të japë dorëheqjen pas verifikimit se është dënuar për trafik droge në Itali. Po pengon prokurorinë të konfirmojë gjetjet e Partisë Demokratike, të verifikuara në mënyrë të pavarur nga Zëri i Amerikës. Po pengon zbatimin e Ligjit Antimafia për verifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive nga trafiku i drogës i Valdrin Pjetrit”.

Gjata gjithashtu shtoi se PD do të informojë të premten Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi gjetjet e saj për dënimin e Pjetrit në Itali për trafik droge, në mënyrë që ky institucion të nisë menjëherë hetimin pasuror ndaj tij, diçka që Prokuroria nuk e ka bërë, sipas PD, me urdhër të Kryeministrit.

“Për çdo shqiptar është e qartë dhe e kuptueshme se për sa kohë Edi Rama është në krye të qeverisë, ligji Antimafia nuk ka për të vepruar. Një vit më parë, Edi Rama nuk lejoi që Ligji Antimfia të veprojë kundër Agron Xhafës, tani nuk ka për të lejuar të veprojë kundër Valdrin Pjetrit. Këta dhe çdo kriminel e trafikant tjetër do të vazhdojnë të jenë të paprekshëm, nëse Edi Ramës i cenohet sadopak pushteti i tij kriminal. Parimi se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, nuk ekziston më! Edi Rama e ka fshirë atë nga Kushtetuta dhe ligji, njësoj siç po përpiqet të fshijë zgjedhjet e lira e të ndershme”, tha Gjata.

Shkarkoni aplikacionin e A2