Pakistani: India do të na sulmojë, por do t’i japim leksionin që meritojnë

Nuk ulet tensioni midis Pakistanit dhe Indisë, pas vendimit të kësaj të fundit për t’i hequr autonominë rajonit të Kashmirit, që ndan pikërisht me fqinjin.

Kryeministri pakistanez Imran Khan deklaroi dje në publik që India po planifikon të ndërhyjë edhe në territorin e kontrolluar nga Islamabadi.

“Kemi informacione serioze se India po përgatitet të veprojë në pjesën tonë të Kashmirit, por ne do të reagojmë menjëherë”, deklaroi Imran Khan gjatë festimeve për pavarësinë e Pakistanit.

Kryeministri shtoi se veprimet e indianëve në Kashmir kanë një qasje naziste dhe po synojnë një spastrim etnik, dhe se “ka ardhur ora që t’i japim një leksion”.

Pakistani ka thirrur një mbledhje urgjente të OKB-së mbi gjendjen në Kashmir, por nuk duket sikur anëtarët e Këshillit të Sigurisë janë të predispozuar për një thirrje të përbashkët.

India vendosi t’i heqë autonominë krahinës së Kashmirit,  një territor që ajo ndan me Pakistanin që kur dy vendet deklaruan pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar. Pakistani dhe India shpesh herë kanë arritur të përballen edhe ushtarakisht për të përcaktuar pozicionet e tyre.

Sipas planeve indiane, Kashmiri, një zonë tradicionalisht myslimane, do të ndahet në dy pjesë, dhe do të lejohen investimet indiane në atë zonë, gjë që më parë ishin të kufizuar dhe që sipas kundërshtuesve të planit do të ndryshojë demografinë dhe përbërjen etnike të zonës.  

Shkarkoni aplikacionin e A2