Skenarët për Valdrinin, PS kërkon ta largojë pa mbajtur Voltanën në zyrë – A2

Skenarët për Valdrinin, PS kërkon ta largojë pa mbajtur Voltanën në zyrë

Socialistët po shqyrtojnë opsionet për të nxjerrë nga skena Valdrin Pjetrin, pa rrezikuar që t’i zgjasin mandatin Voltana Ademit në krye të Shkodrës. Një nga variantet që po shqyrtohet në PS është që Pjetri të mos e bëjë betimin më 21 gusht, ditën kur pritet të konstituohet Këshilli i ri Bashkiak, duke refuzuar kështu nisjen e mandatit. Kjo do të mbante në detyrë Voltana Ademin, pasi neni 60, pika 4 e ligjit për qeverisjen vendore thekson: “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”. 

Ndryshe nga ligji për qeverisjen vendore, Kodi Zgjedhor përcakton limitin kur mbaron mandati i kryebashkiakut. Për efekt të këtij Kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj, të vitit të katërt, pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.” 

Për zgjedhjet e vitit 2015, KQZ shpalli rezultatet më 10 gusht të atij viti dhe sipas kësaj formule, mandati i Voltana Ademit si kryebashkiake e Shkodrës do të duhej të përfundonte më 10 gusht 2019. Çfarë vështirëson akoma më shumë konfliktin ligjor, është se të dyja normat kanë të njëjtën hierarki dhe miratohen me 3/5 e votave në Parlament.

“Mund të ketë një kompromis për të lexuar ligjin dhe kompromisi është neni përkatës i ligjit për qeverisjen vendore, sipas të cilit kryetari i bashkisë qëndron në detyrë deri në momentin kur bën betimin kryetari i ri i bashkisë. Kështu që zonja Voltana Ademi mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në momentin kur kryetari i ri të bëjë betimin”, u shpreh analisti Afrim Krasniqi.

Për të shmangur qëndrimin në zyrë të Voltana Ademit, socialistët po shikojnë edhe skenarin tjetër, atë të dorëheqjes së Valdrin Pjetrit pas betimit. Në këtë rast do të ishim në kushtet e ndërprerjes para kohe të mandatit dhe nëse Presidenti Meta do të refuzonte përsëritjen e zgjedhjeve në Shkodër, Këshilli Bashkiak do t’ia kalonte kompetencat e kryetarit një prej n/kryetarëve, bazuar në nenin 61, pika 5 të ligjit për Qeverisjen Vendore. “Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zv/kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zv/kryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zv/kryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.”

Çfarë vështirëson skenarin e dytë është se Kryeministri Rama do të duhej të gëlltisë edhe betimin e Valdrin Pjetrit, ndërkohë që ka deklaruar ndarjen e rrugëve mes tij dhe Partisë Socialiste. 

Shkarkoni aplikacionin e A2