Vijon beteja me flakët në Greqi, Mitsotakis: Koordinim më i madh europian

Makthi i zjarreve vazhdon të torturojë Greqinë. Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis kërkoi të mërkurën një koordinim më të madh europian,  ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet për të shuar flakët që kanë djegur që pjesë të madhe pyjesh në ishullin Evia.

Shefi i ri i ekzekutivit grek, i cili u detyrua të ndërpriste pushimet në Kretë, tha se zjarre të tilla janë tashmë një pjesë familjare e jetës së përditshme në Europën jugore dhe për këtë arsye nevojitet një mekanizëm më i mirë shpëtimi.

“Ne e dimë se zjarret do të jenë me ne, do të jenë një pjesë e pandare e jona ndërsa pasojat e ndryshimeve klimatike po bëhen më të ndjeshme në Europë. Për këtë arsye është e domosdoshme të fuqizohet mekanizmi i shpëtimit në nivel europian në mënyrë qe të kemi koordinim më të madh për të luftuar incidente të tilla:, tha Mitsotakis.

Mobilizimi i rreth 400 zjarrfikësve gjatë natës, të ndihmuar edhe nga zbutja e erërave, e kufizoi zjarrin në një luginë, pranë fshatit të Platanias, i cili ishte mes më të kërcënuarve ditën e mërkurë. Një total prej 382 zjarrfikësish të ndihmuar nga ushtarë, 98 automjete e 5 helikopterë, punuan intensivisht në terren të rrëpirë për të vënë nën kontroll flakët. Dëmet ekologjike që ka pësuar ishulli i pasur me pyje. Mbi 100 km katrorë pyje pishe janë shkrumbuar.

Shkarkoni aplikacionin e A2