Rama: Pjetri nuk është kriminel, fshehja e ngjarjes e patolerueshme

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të kërkojë futjen në ligj të afateve për verifikimet e kandidaturave për poste publike, para regjistrimit të tyre në zgjedhje.

Përmes një postimi në Twitter, Rama ka mbrojtur kandidatin socialist për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri, nga akuzat që i janë bërë, por gjithsesi e ka quajtur të patolerueshme fshehjen e ngjarjes së arrestimit të tij në Itali.

“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!

Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!”, shkruan Rama në Twitter.

“Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë. Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN