“Spiderman” ngjitet në 283 metra lartësi, mesazh paqeje mes Kinës dhe Hong Kongut

Duke përdorur vetëm duart dhe pa asnjë dëmtim, i ashtuquajturi Spiderman-i francez, Alain Robert, ngjiti fasadën kryesore të qendrës “Cheung Kong”, ndërsa territori autonom i Kinës përgatitet për të një tjetër fundjavë me demonstrime pro-demokracisë.

Banderola që vendosi në ndërtesën kryesore të distriktit të biznesit shfaq flamurin e Kinës në njërën anë dhe në tjetrën atë të Hong Kongut, ndërsa shtrëngimi i duarve dhe dielli simbolizon suksesin në arritjen e paqes. “Jam shumë i sigurt se ekziston një mënyrë për ta zgjidhur këtë problem së bashku me Kinën dhe mesazhi im është për paqe”, tha Robert për mediat.

Ngjitja në lartësinë prej 283 metrave të ndërtesës së njeriut më të pasur të Hong Kongut, Li Ka-shing, tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve. Policia bëri me dije se arrestoi francezin menjëherë pas aktit të tij, i cili zgjati rreth një orë.

Kjo nuk ishte hera e parë që Robert kryen një veprim të tillë në këtë territor. Ish-kolonia britanike i ndaloi atij ngjitjen e ndërtesave për një vit në gushtin e kaluar dhe ky sanksion përfundoi vetëm dy javë më parë. Robert është i njohur për ngjitjen e fasadave të ndërtesave edhe në shtete si Franca, Indonezia, Filipinet dhe Britania.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN