Edi Rama: Nis puna në ish bashkitë e djathta, askush nuk është larguar nga detyra

Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale disa foto që sipas tij janë bërë në bashkitë që më përpara drejtoheshin nga e djathta dhe tashmë ka nisur puna për pastrimin e territoreve të tyre. Sipas tij punonjësit e pastrimit në këto bashki janë rikthyer në detyrë pas mbushjes së radhëve në protesta.

“Vau i Dejës, Përmet, Mat, Selenicë – Vijon pa pushim heqja e zhulit, plehrave e ferrave nga territoret, ku pas largimit të kryebashkiakëve revolucionarë, punonjësit e pastrimit nuk paguhen më si turistë politikë, për të mbushur radhët e protestave antishtet në Tiranë, po janë kthyer në punën e tyre në shërbim të komuniteteve”, shkruan Edi Rama.

Më tej kreu i qeverisë bën me dije se deri tani, në bashkitë që drejtoheshin më parë nga e djathta nuk është hequr nga puna asnjë person. Kryeministri Rama thekson sërish se më 30 qershor Shqipëria votoi për të drejtën dhe jo për të majtën.

“Deri tani askush s’është larguar nga puna në ish-bashkitë e djathta (përveç ca kokave të mëdha e të pagdhendura politike, që kanë ikur me dorëheqje) dhe do të largohet vetëm kush nuk do të dojë t’i futet punës; në 30 qershor Shqipëria nuk votoi për të majtën po për të drejtën dhe unë do të bëj çmos që askujt të mos i mohohet padrejtësisht, e drejta për të treguar se e do dhe e bën si duhet, punën që ka”, përfundon Rama në rrjetet sociale.

Shkarkoni aplikacionin e A2