Kompetencat e SPAK, i pandryshuar hetimi i zyrtarëve të lartë shtetërorë

Fundi i këtij viti dhe fillimi i 2020 pritet të tregoje efektin e vërtetë të reformës në drejtësi. Deri më tani i vetmi proces që po ecën më shpejt është ai i vettingut, ndërsa zbatimi i ligjeve të reja të reformës po hasin problem. Ajo që pritet t’i vendosë kapak gjithçkaje është konstituimi i strukturave të reja të hetimit dhe gjykimit në vend.

BKH dhe SPAK, do të hetojnë dhe japin verdiktin për funksionarë e ish zyrtarë të lartë të shtetit të kapur në shkelje të ligjit. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, reduktuan veprat penale në kompetencë të Byrosë, Prokurorisë së Posaçme, dhe Gjykatës Speciale. Fillimisht, ligji për SPAK-un dhe Kodi i Procedurës Penale parashikonin 40 vepra penale në kompetencë të organeve të SPAK-ut. Me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, 33 vepra penale nuk do jenë objekt i veprimtarisë së SPAK-ut.

Përpos veprave penale të mbetura, në ndryshimet e bëra në janar 2017, janë shtuar disa vepra të tjera penale që do të jenë në kompetencë të SPAK-ut, duke e çuar këtë numër në 18. Megjithatë, kompetenca më e rëndësishme e SPAK-ut, mbetet ajo e hetimit të çdo akuze kundër funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë shtetëror. Dhe kjo nuk ka ndryshuar, pasi është parashikuar shprehimisht në Kushtetutën e ndryshuar me 140 vota në mesin e vitit 2016.

SPAK-ut nuk do të hetojë veprat e rënda penale, të cilat aktualisht janë në kompetencë të Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe të Gjykatës për Krimet e Rënda. Në kompetencë të SPAK-ut do të jenë veprat penale të korrupsionit, ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe shkeljes së barazisë në tendera. Më konkretisht, SPAK do të hetojë korrupsionin aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, të nëpunësve të huaj publikë, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, të dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit, korrupsionin aktiv dhe pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë. 

Shkarkoni aplikacionin e A2