Salvini nuk dorëzohet, i bindur për mos të lejuar zbarkimin e emigrantëve në vend – A2

Salvini nuk dorëzohet, i bindur për mos të lejuar zbarkimin e emigrantëve në vend

Vijon situata e tensionuar ne Itali për pranimin e emigranteve. Më shumë se 100 të tillë të shpëtuar në det pranë brigjeve të Libisë nga anija “Open Arms” enden në det prej dy javësh duke mos pasur ku të ankorohen. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar qeverisë italiane, përgjigja ka qenë gjithnjë negative, madje ministri i brendshëm Matteo Salvini akuzon bordin e anijes për mashtrim në lidhje me gjendjen shëndetësore të emigranteve.

 “Gjatë orëve të fundit kemi parë çdo lloj shfaqje nga këta persona. U mësuam tani me njerëz që shtiren të sëmurë dhe pas kontrolleve rezultojnë në rregull. E në momentin kur mjekët e pohuan këtë gjë u sulmuan prej tyre. Jemi të vendosur të jemi kundër të gjithëve në këtë situatë që vetëm në favor të Italisë nuk është”, deklaroi Salvini.  

Italia është e vendosur në përgjigjen e saj negative e pavarësisht  kërkesës se kryeministrit për t’i strehuar, Salvini nuk bën hap pas.

“Kryeministri më shkroi që të hap portin, kolegët e mi të qeverisë Trenta dhe Toninelli gjithashtu e kanë lënë të hapur mundësinë. Madje gjykata në Agrigento ka nisur hetimet ndaj meje mbi rrëmbimin e njerëzve. Mos duhet të përfundoj në burg sepse po mbroj brigjet dhe sigurinë e këtij vendi? Nëse po, le të ndodhë”, është mendimi i ministrit të Brendshëm italian.

Në këtë situatë, shumë emigrantë braktisën anijen dhe u nisen me not drejt brigjeve.

Një “dritë jeshile” ndërkohë erdhi nga Spanja, që lejoi zbarkimin e tyre në portin e Agesiras por këtë herë ishte stafi i anijes që nuk mund ta bënte diçka të tillë për arsye të një situate emergjente krijuar në bordin e saj, ku emigrantët po ziheshin mes tyre.

Shkarkoni aplikacionin e A2