Atletico lëkurën e ndërron, por vuajtjen s’e harron

Atletico Madrid e nisi kampionatin spanjoll njësoj siç na ka mësuar gjatë gjithë këtyre viteve nën drejtimin e Diego Simeones: me fitore duke vuajtur deri në sekondën e fundit.

1-0përfundoi ndeshja ndaj Getafes në “Wanda Metropolitano”, aty ku të dyja ekipet e mbyllën takimin me nga 10 futbollistë në fushë, pasi Molina dhe Lodi u ndëshkuan me të kuqe pa u mbyllur pjesa e parë.

Alvaro Morata ishte autori i golit të vetëm, ndërkohë që sulmuesi spanjoll humbi një 11-metërsh në pjesën e dytë.

Debutoi si titullar Joao Felix, por portugezi e la fushën e lojës i dëmtuar në minutën e 66, pasi më parë fitoi penallti me një aksion spektakolar.

Në minutat e fundit Getafe goditi traversën, duke iu afruar barazimit.

Edhe pse me lojtarë të rinj, duket se Atletico Madrid do të vazhdojë maninë e fitoreve me dorë në zemër.

Shkarkoni aplikacionin e A2