Blerja e Groenlandës, Trump nuk dorëzohet: Pikë strategjike për Amerikën

“Groenlanda nuk është në shitje dhe idea që ky territor mund t’i shitet Shteteve të Bashkuara është absurd”.

As kjo deklaratë e kryeministres së Danimarkës nuk shuan optimizmin e Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili pohoi me gojën etij interesin për ishullin më të madh të planetit. Duke folur për gazetarët, kreu i Shtëpisë së Bardhë pranon diskutimet për blerjen e Groenlandës, megjithatë pranon se ky nuk është një prioritet i domosdoshëm.

“Territori është në pronësi të Danimarkës dhe ne jemi aleatë të mirë. Ne mbrojmë Danimarkën siç bëjmë me një pjesë të madhe të botës. Çështja erdhi për diskutim dhe unë thashë “sigurisht”. Nga pikëpamja strategjike është interesante dhe ne jemi të interesuar”, deklaroi Trump.

Duke qenë se perandorinë e tij e ngriti falë blerjes dhe shitjes së pasurive të patundshme, Trump është i bindur se nga kjo do të dalë diçka shumë e mire: “Shumë gjëra mund të ndodhin. Është një ujdi shumë e madhe imobiliare. Groenlanda po e dëmton shumë Danimarkën, shtet i cili po humbet rreth 700 milionë dollarë në vit duke e mbajtur atë. Dhe për ne do të ishte mirë pasi është një pike strategjike për Shtetet e Bashkuara”.

Ndërkohë, Trump pritet të vizitojë Danimarkën në fillim të muajit të ardhshëm. Presidenti amerikan tha se çështja e Groenlandës do të jetë në agjendën e takimeve me kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe atë të territorit autonom, Kim Kielsen. Megjithatë, takimi mes tyre nuk është konfirmuar ende. 

Shkarkoni aplikacionin e A2