Dërgoni mesazhe me anë të…frigoriferit “smart”? Me shumë mundësi jeni nomofobë

Një 15 vjeçare amerikane është kthyer në një yll të webit javët e fundit për një nga tweet-et më të çuditshme në botë. Mamaja e kishte dënuar me heqjen e telefonit, laptopit dhe çdo mjeti elektronik, e shqetësuar për orët që adoleshentja kalonte në rrjetet sociale.

Mamaja kishte harruar gjithsesi një pajisje, që nuk do t’ i kishte shkuar ndër mend njeriut, frigoriferi i shtëpisë. Një frigorifer “smart”, i lidhur me Internet zakonisht për të ulur ose ngritur temperaturën nga larg, por edhe me një opsion të pazakontë, si mundësia për të dërguar mesazhe në Twitter.

Mesazhi i adoleshentes nga frigoriferi “smart” i LG

Mesazhi ku vajza “qahej” për dënimin e marrë nga frigoriferi u bë viral, madje edhe vetë kompania prodhuese e pajisjes (LG) dërgoi një #freeDorothy në rrjet.

Mesazhi inkurajues (dhe ironik) i vetë prodhuesit të frigoriferit

Historia e Dorothy është një shembull i qartë i asaj që shkencëtarët tashmë quajnë nomofobi, nga anglishtja “no-mobile-phone-phobia”.  Ashtu siç ndodh me narkotikët, edhe mungesa e “drogës” Internet mund të japë si pasojë kriza të vërteta abstinence.

Sipas një studimi të universitetit të Vjenës në bashkëpunim me atë të Kremsit, efektet bëhen të dukshme pas shtatë ditësh pa internet. Një dëshirë fizike për të pasur “valë”, të cilës i bashkohej një gjendje ankthi dhe zhgënjimi. Rreth gjysma e të rinjve evropianë kontrollojnë internetin në telefon të paktën 75 herë në ditë, ose pothuajse 5 herë në orë, duke hequr 8 orë ku shpresohet se flenë.

Mjekët këshillojnë personat me këtë lloj vartësie të fillojnë gradualisht të fikin celularët kur janë në shtëpi, ose të paktën ta kthejnë në ”silent”. Mungesa e telefonit dhe të rrjeteve sociale mund të shkaktojë fillimisht një gjendje të sikletshme, por më pas efektet do të fillojnë të zvogëlohen dita ditës, me benefite të menjëhershme si kursimi i kohës për aktivitete të tjera, zhvillimi i komunikimit të drejtpërdrejtë si dhe të fantazisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2