Fituesi i “Palmës së Artë” në Tiranë, një film për homoseksualitetin në vilën e ish-diktatorit

Vasilis Kekatos, fituesi i “Palmës së Artë” është në Tiranë. Ka zgjedhur vilën e ish-diktatorit Hoxha për të sjellë në Shqipëri një mesazh për dashurinë. Vite më parë do të dukej e pazakontë që në dhomën e pritjes së ish-diktatorit të flitej për dashurinë mes dy burrave, sot jo.

“Është një homazh për dashurinë. Një nga filmat që do të prezantohet këtu për publikun flet për marrëdhënien mes dy meshkujve. Dhe kam zgjedhur ta prezantoj në një vend si ky për të përçuar një mesazh që kohë më parë ishte e pamundur ta transmetoje. Ndoshta e fitova çmimin vetëm sepse isha një heteroseksual që rrëfente këtë dashuri përmes dy aktorëve, por unë dua të zbuloj se xhaxhi im ishte homoseksual dhe këtë film ia kam dedikuar atij, që në një shoqëri si e jona ka jetuar i gjykuar për atë që ndiente”, tha Kekatos gjatë prezantimit të filmit.

Ai e fitoi “Palmën e Artë” me një film që i kushtoi pak, thuajse 200 dollarë, por pikërisht për këtë vendosi që menjëherë pas premierës botërore në Kanë ta sillte në një vend si Shqipëria. “Me një buxhet të vogël mund të bësh gjëra të mëdha. Mjafton të kesh një ëndërr dhe të përpiqesh  për ta bërë realitet. Greqia ka të njëjtin fat si Shqipëria në kinematografi. Nuk ka para për të bërë filma. Thuajse të njëjtin buxhet kemi. Por ky është një mesazh për të gjithë të rinjtë. Nëse ndan një pasion të madh, mundesh të realizosh gjëra të mëdha”, shtoi Kekatos.

Vendet për të parë dy filmat e Kekatos në vilën e ish-diktatorit u prenotuan brenda dy orëve, menjëherë pasi nisën rezervimet.

Shkarkoni aplikacionin e A2