Kryenin vjedhje në Itali, arrestohen tre shqiptarë – A2

Kryenin vjedhje në Itali, arrestohen tre shqiptarë

Fiano Romano, qyteza rreth 40 km larg Romës.

Tre shtetas shqiptarë, të tre të lindur në Dibër, janë arrestuar nga Policia italiane dhe ajo shqiptare, pasi për ta ishte dhënë vendimi “arrest me burg” nga Gjykata e Rietos, Itali, më 25.06.2019. Ata akuzohen për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.

Dy prej të arrestuarve, B. GJ., 38 vjeç, dhe Q.A.(M), 32 vjeç, lindur dhe banues në Dibër, janë arrestuar nga policia shqiptare, ndërsa pjesëtarja e tretë e grupit, H.R., 49 vjeçe, është arrestuar në Fiano Romano të Italisë. Për këto vepra, maksimumi i dënimit është me 20 vjet burg.

“Në datën 04.05.2019, në zonën Fiano Romano/Itali, shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur nëpërmjet përdorimit të armëve në banesën e shtetasit italian A.L., një sasi bizhuterish dhe shumën 60 000 euro, që ndodheshin në kasafortën e këtij shtetasi dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të vjedhur.

Vijon puna për dokumentimin me prova ligjore edhe të vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer në Itali nga ky grup.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin drejt Italisë të  dy shtetasve të kapur dhe arrestuar nga Policia e Dibrës”

Deklarata e Policisë së Shtetit
Shkarkoni aplikacionin e A2