Merkel jep “shpresë”: Nuk ka Europë të bashkuar pa Ballkanin Perëndimor – A2

Merkel jep “shpresë”: Nuk ka Europë të bashkuar pa Ballkanin Perëndimor

Gjatë fjalës të mbajtur në Hungari për nder të 30-vjetorit të “episodit të piknikut”, një nga momentet që kanë shënuar afrimin e Lindjes me Perëndimin, ku qindra qytetarë nga Republika Demokratike Gjermane arritën të kalonin kufirin hungarez në Sopron drejt Austrisë, kancelarja Angela Merkel ka folur sërish për vizionin e saj të Bashkimit Europian, ku Ballkani Perëndimor është pjesë e rëndësishme e të ardhmes së saj.   

 “Nuk mund të ketë një Europë të bashkuar pa Ballkanin Perëndimor”, deklaroi kancelarja gjermane, duke rihapur shpresat për vende si Shqipëria dhe Maqedonia e veriut që presin fillimin e çeljes së negociatave.   

 “Në qoftë se shihni gjerat në mënyrë gjeostrategjike por edhe thjesht hartën, mund të ketë një Europë vërtetë të bashkuar vetëm kur kjo do të bashkohet me vendet e Ballkanit Perëndimor”, ishin fjalët e plota të Merkel.

Nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor që janë jashtë BE-së, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë statusin e kandidatit zyrtar, me dy të parët që po vijojnë në përmbylljen e kapitujve, ndërsa dy të tjerat ende po presin “dritën jeshile” të hapjes së negociatave, vendim ky që pritet tetorin e ardhshëm.   

Ndërkohë, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina ndodhen më larg, me statusin aspak ngushëllues të “kandidatit potencial”.

Shkarkoni aplikacionin e A2