Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Rënia e perdes së hekurt, Merkel dhe Orban kujtojnë eksodin

Nga A2 CNN
19 Gusht 2019, 14:16 | Bota
Rënia e perdes së hekurt, Merkel dhe Orban kujtojnë eksodin

Më 19 gusht të vitit 1989, qindra qytetarë nga Republika e atëhershme Demokratike Gjermane, arritën të kalonin kufirin hungarez në Sopron drejt Austrisë përmes një porte kufitare të hapur për disa orë. Eksodi i qytetarëve që nisi nga një piknik paneuropian shënoi edhe çarjen e parë të fortë të Perdes së Hekurt. Pak muaj më vonë ra edhe Muri i Berlinit.

Kancelarja Angela Merkel dhe Kryeministri hungarez Viktor Orban lanë mënjanë ndasitë lidhur më çështjen e refugjatëve duke u bërë bashkë për të shënuar 30-vjetorin e ngjarjes. Merkel mori pjesë në një shërbesë fetare, gjatë së cilës u bëri thirrje liderëve europianë të vendosin interesat e unionit mbi ato kombëtare.

Ndërkaq, euroskeptiku Orban vlerësoi përkushtimin e Kancelares ndaj Europës. “Shpreh admirimin tim për ju. Për shumë vite ju keni punuar për Europën, përtej interesave të vendit tuaj, për bashkëpunimin mes shteteve europiane dhe bashkimin e të gjithë kontinentit të vjetër”, tha Orban. “Përballë sfidave të vështira që kërcënojnë sot Europën ne duhet të kujtojmë vlerat që na bashkojnë. Duhet të kujtojmë gjithmonë se mirëqenia kombëtare varet nga mirëqenia europiane”, u shpreh Merkel.

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Hungarisë janë ftohur ndjeshëm vitet e fundit. Orban e kritikoi ashpër politikën gjermane të dyerve të hapura në vitin 2015, duke sulmuar personalisht edhe Merkelin. Qëndrimet e ndryshme për politikën e migracionit vazhdojnë të mbeten, siç pohoi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert të premten.

A2 CNN Livestream

Dita jonë