Shkodra pas 30 qershorit, Këshilli socialist, Kryebashkiakja demokrate – A2

Shkodra pas 30 qershorit, Këshilli socialist, Kryebashkiakja demokrate

Të rrethuar nga qindra protestues të opozitës, socialistet e votuar për Shkodrën qëndruan disa orë nën kushtet e një shtetrrethimi, për aq kohë sa u konstatua Këshilli i ri Bashkiak.

Jashtë ambienteve të Bibliotekës së Universitetit policia mbante nën kontroll turmën e irrituar të organizuar nga Partia Demokratike. Opozita është në prag të humbjes së një prej bastioneve të së djathtës, për herë të parë që pas rënies së diktaturës.

Raportimi i gazetares së A2 Klementina Cenkollari

Votimi i Briselda Kadisë, si kryetare e Këshillit Bashkiak ishte një formalitet, që nuk zgjati shumë. Në sallë ra në sy prania e Tom Doshit, kreut të PSD-së dhe deputet i zgjedhur në Shkodër.

Njolla që la pas Valdrin Pjetri, i dënuar në Itali për trafik droge, vetëm sa e ka shtuar revoltën e votimeve një partiake në 30 qershor. Justifikimi i socialistëve se ata u gënjyen në mirëbesim, duket se nuk mjafton, po të llogarisim radhën e deputeteve dhe kryebashkiakëve të tjerë që u kapën nga dekriminalizimi.

Kryetare e Këshillit Bashkiak u zgjodh Brisela Kadia, pa konkurrencë. E vetme nga radhët e PD-së në sallë, kryetarja aktuale e Këshillit të Qarkut, Greta Bardeli u përfshi në një incident nga anëtarët e pranishëm.    

Jashtë sallës ku ishin mbledhur socialistet, përplasjet me policinë u ashpërsuan në momentin kur dolën anëtarët e sapo betuar të Këshillit. Pas hezitimit për t’i dalë përballë, ishte deputeti Doshi që i udhëhoqi. Ndaj tij dhe të zgjedhurve të majtë protestuesit hodhën shishe plastike dhe gurë.

Përmes sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi demokratët folën për uzurpim të institucioneve.

“Ishte një cirk i paligjshëm i një qeverie të paligjshme. Në Shkodër si në gjithë Shqipërinë, nuk kanë për ta gëzuar pushtetin”, deklaroi Bardhi.

Protesta përfundoi pikërisht në zyrën e kryetares aktuale së Bashkisë, Voltana Ademi, e cila tha se do qëndroj në detyrë.

“Unë do të kem detyrën dhe përgjegjësinë që të jem kryetare e Bashkisë së Shkodrës deri në momentin sa më të shpejtë për të gjithë ne dhe gjithë Shqipërinë, që të sigurojmë zgjedhje të vërteta”, deklaroi ajo.  

Përplasja me policinë i kushtoi arrestimin kryetarit të FRPD dhe shoqërimin në polici disa qytetarëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2