Dorëhiqet Conte, Italia në zgjedhje të parakohëshme

“Qeveria ime përfundon punën e saj këtu”. Me këtë frazë, kryeministri Italian, Giuseppe Conte njoftoi dorëheqjen e tij dhe të ekzekutivit që drejtoi prej 14 muajsh duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Gjatë një debati në Parlament, ai nuk I kurseu kritikat e ashpra për ministrin e brendshëm, Matteo Salvini, edhe pse dy politikanët ishin fare pranë njëri-tjetrit. Conte fajësoi liderin e Legës për krijimin e kësaj krize politike me ngritjen e një mocioni votëbesimi, duke marrë shkas kryesisht nga rezultati i mirë që mori në zgjedhjet europiane.

“Është një veprim të cilin do të konsideroja oportunizëm politik. Prandaj më lejoni të them se ministri i Brendshëm ndoqi interesat personale dhe të partisë së tij përpara atyre kombëtare”, tha Conte. Ai theksoi më tej se me këtë veprim, Lega ka fyer punën e qeverisë dhe popullin italian dhe shtoi akuzat ndaj Salvini-t duke thënë se është i shqetësuar nga dëshira e tij për pushtet. Madje i kërkoi atij që të mos përziejë besimet fetare me politikën. Por kësaj deklarate, Salvini iu përgjigj duke puthur kryqin.

Pas përfundimit të fjalimit të Conte-s, politikani i ekstremit të djathtë u shpreh kështu: “Faleminderit dhe më në fund. Do të ribëja gjithçka që kam bërë. Kjo është fuqia e të qenit njeri i lirë dhe nuk kam frikë nga gjykimi i italianëve”. Më tej ai ironizoi komentet e Conte-s duke theksuar se i vinte keq që i ishte dashur ta duronte për më shumë se një vit. Ndër të tjera Salvini u shpreh i gatshëm të miratonte buxhetin e 2020 përpara se vendi t’i drejtohet zgjedhjeve të parakohëshme. Ndërkohë, qindra italianë protestuan jashtë godinës së Parlamentit kundër politikave të Salvini-t.

Shkarkoni aplikacionin e A2