Turneu i Winston-Salem në tenis ndoshta nuk ka prestigjin e US Open, por mbetet gjithsesi ndër 20 më të mirët në botë, ku kanë triumfuar legjenda si Agassi, Lendl dhe Edberg.
Por ditën e djeshme ajo hyri me të drejtë në histori për një ndeshje, ajo midis koreanit Duckhee Lee dhe zviceranit Laaksonen. Emra të panjohur për publikun e gjerë, por sigurisht lojtarë profesionistë në një turne zyrtar të ATP-së.
Lee fitoi 7-6 6-1, por më shumë se rezultati këtu ka rëndësi fakti që koreani 21-vjecar është tenisti i parë shurdh që fiton një ndeshje në një turne prestigjioz ndërkombëtar të ATP-së.
Historia e tij ka kohë që intereson mediat e specializuara, por fitorja e merituar po e kthen në pak orë në një ndër trendët më të ndjekura në rrjetet sociale.
Djaloshi ia arriti të bëhet profesionist kundër mendimit kundër të gjithë atyre që nuk mund të besonin që një person që nuk dëgjon as zhurmën e topit në fushë mund të luante tenis, jo më të mundte një profesionist.
“Nuk dëgjoj pothuajse asgjë, përtej ndonjë brohoritje të madhe nga publiku. Por normalisht nuk dëgjoj topin, madje as thirrjet e gjyqtarit në fushë. Reagoj në bazë të veprimeve të kundërshtarit”, thotë koreani.
Ai sot është në vendin 212 në botë, dhe ka luajtur më së shumti në Azi, ndërsa kohët e fundit u përqendrua në SHBA.
“Dëshiroja t’i tregoja të tjerëve që po u përgatite mirë mund të bëhet çdo gjë. Personat me probleme dëgjimi si unë nuk duhet të dekurajohen”, shton Lee.
Sot ai ndeshet me polakun Hubert Hurkacz, dhe patjetër që tifozët do të jenë të gjithë për të.