Takimi Putin-Macron, liderët përplasen për Sirinë e protestat

Presidenti francez Emanuel Macron dhe homologu rus Vladimir Putin folën për mundësinë e negociatave të reja për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

Por, gjatë takimit të zhvilluar në jug të Francës, dy udhëheqësit u përfshinë në replika sa i përket çështjes së Sirisë dhe protestave në Rusi. Duke iu referuar manifestimeve të zhvilluara në Rusi, që u shoqëruan me ndalimin e kandidatëve të opozitës në zgjedhjet lokale, Macron kishte një kërkesë për homologun

“Këtë verë ne bëmë thirrje për liri për të protestuar, për liri të fjalës, mendimit e për të konkurruar në zgjedhje, gjë që duhet të respektohet plotësisht në Rusi, si në çdo vend tjetër anëtar të Këshillit të Evropës”, tha Macron.

Ndërsa fillimisht Presidenti Putin u duk sikur e injoroi komentin, ai e kundërshtoi menjëherë zotin Macron pas një pyetjeje vijuese rreth protestave në Moskë: Jam i ftuar këtu dhe ndihem në siklet ta them këtë, por pyetja juaj më detyron. Ne të gjithë i pamë protestat e jelekëvë të verdhë. Sipas vlerësimeve tona, 11 persona u vranë dhe 2500 të tjerë u plagosën. Ne nuk duam që gjëra të tilla të ndodhin në kryeqytetin rus”. 

Por, Presidenti Macron u kundërpërgjigj që krahasimi me Francën ishte i pasaktë, pasi protestuesit e “jelekëve të verdhë” mund të marrin pjesë në zgjedhje.

Ndërkaq, dy presidentët lanë të kuptohet se këshilltarët e tyre do të zhvillonin bisedime të mëtejshme për mundësinë e një samiti 4-palësh me Ukrainën dhe Gjermaninë.

Takimi dypalësh, i cili shënon përballjen e 7 mes të dyve që kur Macron u zgjodh President në vitin 2017, është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve. I zhvilluar vetëm pak ditë para se Macron të presë samitin e G7-s në jug të vendit, takimi i jep gjithashtu mundësinë kreut të Elizesë të pozicionojë veten si udhëheqësi më i fuqishëm i Evropës.   

Shkarkoni aplikacionin e A2