Bardhi: Kalimi i dosjes 184 në Dibër, “varrosje” e hetimeve

Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me “Dosjen 184”, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë dhe dosjen në fjalë ia kaloi Prokurorisë së Dibrës.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar së ekzistuari si e tillë dhe me urdhër të Edi Ramës është shndërruar në një prokurori private që nuk ndëshkon krimin e vjedhjes së zgjedhjeve, por e mbron atë.  Sot, media zbuloi vendimin skandaloz për të varrosur dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër. Pasi bllokoi për 3 vjet hetimin e dosjes 184, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hequr dorë nga hetimi i saj, duke vendosur në fshehtësi moskompetencën.
Pasi u dështoi plani i mbylljes së hetimeve në heshtje dhe pa transparencë, kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës është praktikisht mënyra për varrosjen e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve”, tha Bardhi.

“Publikimi i përgjimeve nga gazeta prestigjoze gjermane BILD u faktoi shqiptarëve se në vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër, partia në pushtet kishte vepruar si një organizatë e mirëfilltë kriminale. Shqiptarët dëgjuan më zë sesi në krye të organizatës kriminale të vjedhjes së zgjedhjeve ishte personalisht Edi Rama. Heqja dorë nga hetimi prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda është skenari që i siguron paprekshmëri Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Pjerin Nderut, Ulsi Manjës, Arben Keshit, Dionis Imerajt, Valbona Sakos dhe të gjithë bandës së partisë në pushtet, të kapur në flagrancë me përgjime të ligjshme të vetë prokurorisë. Heqja dorë nga hetimi dhe kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës, me urgjencë dhe në fshehtësi, në prag të ngritjes së SPAK-ut, është qartazi shmangie e kalimit të kësaj dosje tek SPAK-u”, shtoi Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2