Deklarata e Vucic: Dialogu me Prishtinën mund të nisë në dhjetor

Bisedimet me Prishtinën mund të rinisin në dhjetor. Këtë e tha presidenti serb Aleksander Vucic pas takimit të zhvilluar në Nju Jork me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo.

 “Vështirë se mund të ketë vazhdim të dialogut para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, të cilat besoj se do të zhvillohen më 6 tetor. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, në fillim të dhjetorit mund të vazhdojë dialogu. Megjithatë para nisjes së bisedimeve është e rëndësishme të bisedohet për heqjen e taksës”, deklaroi presidenti serb.

Në deklaratën për mediat serbe Vucic shtoi se  “status quoja ”është e pamundur, dhe se është e rëndësishme të ruhet paqja. Nëse shkrepet pushka atëherë askush nuk mund të ndalë bubullimën e topave, dhe kjo askujt nuk i duhet”, ishte komenti i presidentit serb.

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të vendosur nga Qeveria e Kosovës. Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë si kundërpërgjigje e  fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, nga zyrtarët serbë.

Shkarkoni aplikacionin e A2