Denoncimi i fortë i Bashës: Rama i ka siguruar votat në Velipojë falë një trafikanti të fuqishëm droge

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet se “votat për partinë e Edi Ramës i siguron krimi i organizuar”. Sipas tij, kjo gjë del nga debati mes kupolës së Partisë Socialiste në Shkodër.

“Dje mbarë opinioni publik u njoh me debatin mes kupolës së PS në Shkodër nga ku del qartë se partinë që qeveris vendin, e drejton Tom Doshi, dhe se votat për partinë e Edi Ramës i siguron krimi i organizuar. Gjatë debatit të socialistëve me Senida Mesin, për të mos ia dorëzuar Shkodrën Tom Doshit siç urdhëronte Edi Rama, flitet për votat e siguruara në Velipojë. Senida Mesi ua mohon kontributin socialistëve dhe ia njeh atë një personi jashtë Partisë Socialiste. Ky person është Pëllumb Gjoka, një nga trafikantët më të fuqishëm të drogës në zonën e Velipojës dhe të Shkodrës, bashkëpunëtor i bandës të Bajrave. Në Tiranë ai vesh kostumin e biznesmenit që gëzon mbështetjen e Edi Ramës. Për Edi Ramën narkotrafikanti Pëllumb Gjoka mbledh vota, në restorantin e tij në qendër të Tiranës, Edi Rama darkon me familjen dhe fton shpesh miq të huaj”, shkruan Basha në rrjetin social.

“Pëllumb Gjoka është ortak me Tom Doshin në një nga hotelet më luksoze pranë bllokut të ambasadave, ku janë pastruar paratë e trafiqeve të miqve kriminelë të Edi Ramës që i sigurojnë atij pushtetin. Edi Rama është angazhuar personalisht për të ndaluar hetimin e pasurive të tyre sipas ligjit Antimafia, sepse Pëllumb Gjoka është shkuesi i Edi Ramës me bandën e Bajrave në Shkodër, ndërsa Tom Doshi është ai që menaxhon çdo pushtet të Partisë Socialiste në kryeqendrën e Veriut. Dëshmia e Senida Mesit se votat për Edi Ramën në Velipojë i mbledh një trafikant droge që pastron paratë e krimit në Tiranë, rikonfirmon se vendi qeveriset nga një kryeministër i kapur nga krimi. Hajduti Psiqik e përdor krimin për të vjedhur zgjedhjet, dhe bashkë me krimin pasurohet në mënyrë të paligjshme duke vjedhur shqiptarët dhe duke pastruar paratë e krimit. Ndaj për sa kohë që në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, shqiptarët mbeten të varfër, të papunë e të dhunuar”, shton Basha në rrjetin social.

Shkarkoni aplikacionin e A2