Refuzoi të shiste Groenlandën, Trump anulon vizitën në Danimarkë

Refuzoi të shiste Groenlandën dhe Trump refuzon ta takojë. Presidenti amerikan njoftoi anulimin e vizitës së planifikuar në Danimarkë, pasi kryeministrja e këtij vendi, Mette Frederiksen deklaroi se ishulli më i madh i planetit nuk ishte në shitje. 

“Danimarka është një vend shumë i veçantë, me njërëz të jashtëzakonshëm, por bazuar në komentet e kryeministres se nuk ka ndërmend të diskutojë për shitjen e Groenlandës, unë do ta shtyj takimin për një periudhë tjetër”, tha Trump. 

Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të vizitontë Danimarkën në 2 shtator me ftesë të Mbretëreshës Marghrethe II. Pak javë para udhëtimit, Trump sugjeroi se Shtetet e Bashkuara ishin të interesuar për blerjen e territorit autonom danez. Duke e cilësuar idenë si absurde, kryeministrja Frederiksen tha se shpresonte që Trump të mos e kishte seriozisht. Edhe autoritetet e Groenlandës nxituan t’i vinin kapakun atyre që fillimisht u dukën si spekulime qesharake, duke e bërë të qartë se ishin të hapur për biznes, por jo për shitje.

Në rrjetet sociale vërshuan komente tallëse të politikanëve danezë. Interesi i Trump për Groenlandën lidhet pjesërisht me resurset natyrore, të tilla si qymyri, zinku, bakri dhe hekuri. Por, edhe pse është i pasur me minerale, ishulli mbështetet tek Danimarka për 2/3-tat e të ardhurave të tij. Ka nivelin më të lartë të vetëvrasjeve, alkoolizmit dhe papunësisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2