Basha: Marku dhe Prela, Katica Janevat e Shqipërisë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi nga selia e PD-së se Arta Marku dhe Donika Prela janë shtyrë drejt vetëflijimit nga Edi Rama, duke iu referuar “dosjes 184” që i kaloi për hetim Prokurorisë së Dibrës.

“Dëshpërimi i Ramës është i tillë saqë ka vendosur që të shtyjë Arta Markun dhe Donika Prelën drejt vetëflijimit, pasi me veprimet e tyre janë të ndëshkueshme nga ligji. Ata janë bërë Katica Janevat e Shqipërisë”, deklaroi Basha.

“Prokuroria kërkon që ta mbyllë dosjen 184 para se të krijohet SPAK-u”, shtoi Basha.

Prokuroria e Përgjithshme reagoi lidhur me shpalljen e moskompetencës nga Prokuroria për Krime të Rënda për hetimin e “Dosjes 184”, e cila përmban dhe përgjimet e publikuara mbi zgjedhjet vendore të vitit 2016 në qarkun e Dibrës. “Nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, pas kryerjes së veprimeve hetimore në tërësi dhe përfundimit të plotë të transkriptimit të përgjimeve, më datë 12.07.2019 është urdhëruar ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga forma e veçantë e bashkëpunimit “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë” , veprim ky që e ka bërë Prokurorinë për Krime të Rënda të mos ketë kompetencën lëndore për vazhdimin e hetimit të çështjes penale”, lexohet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Më tej, Basha theksoi se Rama “ka rikthyer në krye të PS-së Tom Doshin, një njeri në listën e zezë të Amerikës dhe caktoi kandidat në bashki një njeri të dënuar në Itali”.

Shkarkoni aplikacionin e A2